Një lajm i mirë vjen për 19-vjeçarin nga Durrësi, Ilson Ruska, i cili është në pritje për të kryer një operacion në Itali, pasi rrezikon të mbetet i paralizuar.
Pas apelit për ndihmë në portalin “DurrësLajm” dhe në rrjete sociale, qytetarë të ndryshëm si dhe figura publike që nuk duan të identifikohen, kanë kontribuuar me vlera monetare për të shpëtuar Ilsonin.
Aktualisht janë mbledhur 5600 euro, ndërsa operacioni kushton 10 mijë euro. Megjithatë, kush ka mundësi, ka ende kohë për të dhënë ndihmën e tij, pasi duhen edhe 4400 euro të tjera për të plotësuar shumën e kërkuar.
Pas dy operacioneve, Ilsoni 19-vjeçar duhet të kryejë edhe një ndërhyrje kirurgjikale në datën 10 prill në Itali, pasi në vendin tonë nuk kryhen të tilla operacione, por familja e tij nuk ka mundësi ekonomike. Mamaja e Ilsonit, Adelina, nuk e ka bashkëshortin, ndërsa jetesën e përballon me të ardhura modeste me punën e saj si sanitare.
E ndodhur në kushte të vështira, ajo ka bërë apel që të gjithë të kontribuojnë me sa të munden, që djali i saj të mos mbetet i paralizuar.
Në mbështetje të saj, ka qenë edhe kampionja e Atletikës, Luiza Gega, e cila së bashku me një nga iniciatorët e kësaj nisme, balerini nga Durrësi Andi Dahri, kanë realizuar një spot sensibilizimi në qendër të Durrësit, nga ku përcollën mesazhin për të ndalur dhunën dhe të gjithë mund të guxojmë për të shpëtuar një jetë.

Ilsoni ka rënë pre e një plagosjeje me thikë në Durrës rreth një muaj e gjysmë më parë, një konflikt ky nga i cili rrezikon tashmë të humbasë dëgjimin edhe shikimin. Por në sajë të ndihmës dhe kontributit të gjithë atyre që kanë mundësi, Ilsoni mund t’ia dalë e të shpëtojë…
Më poshtë, spoti sensibilizues:





