Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më në fund i është kundërpërgjigjur presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pas akuzave që i mori nga udhëheqësi turk, për reagimin e tij rreth dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi.

Megjithatë, Haradinaj nuk e ka përmendur asnjëherë me emër presidentin turk, dhe as rastin e dëbimit të turqve, të cilët në Turqi akuzohen për terrorizëm, teksa i është kundërpërgjigjur Erdoganit.

Shefi i ekzekutivit të vendit i ka thënë Erdoganit se nuk do ta lejojë të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.

Haradinaj ka thënë se shqiptarët nuk e kanë në traditë të ndërhyjnë në punët e shtëpisë të dikujt tjetër.

“Kosova dhe unë asnjëherë s’kam ndërhyrë në punët e brendshme të Turqisë. As në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen”, ka thënë ai.

“Punët tona të shtëpisë s’do të mundet kush t'i bëjë në emrin tonë në Kosovë”, ka deklaruar Haradinaj.

“Do t'i bëjmë ne, kur t'i bëjmë ne. Këtë le ta dinë të gjithë”, është shprehur kryeministri kosovar.