Taksa e kripur që është vendosur në “Rrugën e Kombit” ka sjellë më së shumti reagime negative jo vetëm në republikën e Shqipërisë por edhe përtej saj, e mesa duket nuk do të jenë vetëm kritikat ato me të cilat qeveria shqiptare do duhet të përballet.

Këtë të enjte, Këshilli Bashkiak i Hasit i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi si dhe Kryeministrit Rama, ku i kërkohet heqjen e kësaj takse. Argumenti në shkresën e firmosur nga 21 këshilltarë bashkiakë është i thjeshtë, taksa është e padrejtë dhe diskriminon të gjithë banorët e zonës së Hasit.

Kërkesa mban firmën e të gjithë anëtarëve të forcave politike dhe jo vetëm ata të opozitës. Por përveçse kërkesës, në letër shkruhet se nëse taksa nuk hiqet, atëherë qeveria do të përballet me protesta. /oranews