“Mos u jepni lëmoshë fëmijëve në situatë rruge, por lajmëroni policinë dhe bashkinë të vijë e t’i marrë për të mos i lënë në rrugë”.

Është ky mesazhi që përcjellin OJF-të në Durrës, të cilat kanë bashkëpunuar me tre shkolla 9-vjeçare në Durrës duke sensibilizuar opinionin publik.

Nxënësit e tre shkollave kanë ekspozuar punimet e tyre në të cilat përcjellin mesazhet se si e shikojnë ata lypjen dhe qëndrimin në rrugë të fëmijëve. Lidhur me këtë veprimtari, drejtorja ekzekutive e organizatës “Në familje për familje”, Rezarta Sheshaj thotë se fushata sensibilizuese që ata kanë ndërmarrë i shërben eleminimit të  fenomenit të fëmijëve në rrugë, që sot është mjaft shqetësues.

Përfaqësuesit e shoqatave që merren me fëmijët në situatë rruge, përveç sensibilizimit të opinionit publik nuk mund të bëjnë dot asgjë.

Përfaqësuesja e shërbimit social në bashki përveçse teorikisht asgjë nuk mund të bëjë. Jo më shumë se 20 metra larg nga vendi ku bëhej fushata e sensibilizimit, një familje pesë anëtarëshe prindërit dhe tre fëmijë të mitur lypnin në rrugë.

Ashtu si prindërit, edhe fëmijët nuk kanë asnjë mundësi ekonomike dhe e vetmja rrugë mbijetese është lypja.

Shumë fëmijë të tjerë janë në situatë rruge. 20 të tillë ka evidentuar bashkia nga janari deri në mars. Të gjithë janë rrezik për të qënë pre e abuzimit, për sa kohë këta fëmijë nuk kanë shtëpi, asnjë kusht minimal dhe mbeten në rrugë.

K.H.