Policia Bashkiake e Durrësit priti të përmirësohej koha për të dalë sërish në rrugë. Gjatë kësaj mesjave, inspektorët e policisë bashkiake kanë nisur aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna në rrugën “Egnatia” që nis nga tregu i valutës e përfundon në drejtim të hyrjes së portit.
Ndërsa këtë të enjte, aksioni u përqendrua në rrugën “Maliq Muço”, nga pallati sportit deri te kryqezimi i stadiumit, ku janë hequr dhe çmontuar disa platforma dërrase dhe tenda të ndryshme, vazo betoni etj.
Inspektorët u kanë lënë njoftimet subjekteve të biznesit që brenda pesë ditësh të heqin rrethimet e çdo send tjetër të paligjshëm që kanë vendosur në trotuare për zënien e tyre. Njoftimet u janë lënë edhe ambulantëve që të mbledhin mallin e të largohen, sepse në të kundërt do të përballen me konfiskimin e mallit nëse dalin sërish në rrugë. Një pjesë e subjekteve kanë nsiur dhe i kanë hequr vetë vazot e luleve dhe rrethimet e bëra në trotuare.
Shefi i policisë bashkiake tha për “DurrësLajm” se do të kërkohet me rreptësi nga të gjithë subjektet të respektojnë lirimin e hapësirave publike dhe nuk do të ketë asnjë tolerim për asnjë të tillë në këtë drejtim.
Po ashtu, Vasip Çopa bëri me dije se aksioni i ditës së sotme ka hasur në disa vështirësi, por në fund rezultoi i suksesshëm.





