Vendosja e taksës në Rrugën e Kombit nuk është mirëpritur nga qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës.

Aktivistët kanë paralajmëruar protesta për heqjen e taksës, që sipas tyre, është e padrejtë dhe dëmton të gjithë shqiptarët.

Në rrjetet sociale, aktivistët i kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen protestës së radhës që do zhvillohet të shtunën në orën 11:30 në tunelin e Kalimashit. Protesta do të jetë pa ndikime partiake.

“Të shtunën me datë 31.03.2018, ora 11:30 tek tuneli i Kalimashit do të organizohet një protestë qytetare pa ndikime partiake, për t’i thënë ndal taksimit të padrejtë të Rrugës së Kombit. Kjo taksë dëmton të gjithë shqiptarët kuksianë dhe të Dardanisë”, shkruajnë organizatorët në njoftim.

Mesditën e së dielës nisi testimi i taksimit për të gjitha automjetet që kalojnë në Rrugën e Kombit, tarifa të cilat janë jo pak të kripura për shqiptarët.

TAKSA E RRUGËS SË KOMBIT

Klasa 1/ Motorët – 2.5 Euro

Klasa 2/ Veturat – 5 Euro

Klasa 3/ Autobus & kamionçina – 11.2 Euro

Klasa 4/ Kamion i mesëm – 16.2 Euro

Klasa 5/ Kamion i rëndë – 22.5 Euro

Edhe të mërkurën u zhvillua një protestë në Rrugën e Kombit nga biznesmenët kosovarë dhe shqiptarë, si edhe qytetarë të Kukësit.