Këtë të martë, u zhvillua në Durrës aktiviteti i radhës për të rinjtë me aftësi të kufizuara, i organizuar në rrjedhën e projekteve nga ana e organizatës CoDe Albania – (Coherent Development Albania).
Në ambientet e klubit të kulturës “Sigal”, workshop-i mbi aksesin e të rinjve me aftësi të kufizuara në informacion dhe shërbime, u bë në kuadër të zbatimit të projektit “Aftësia e kufizuar nuk është paaftësi. Zhvillim Ekonomik Përfshirës” për 100 të rinj (mosha 19-34 vjeç) me aftësi të kufizuara, projekt i financuar nga GIZ, Programi ProSEED.
Menaxherja e projektit, Elona Memetaj, thotë për kamerën e “DurrësLajm”, se projekti synon të mbështesë fuqizimin social-ekonomik të të rinjve me aftësi të kufizuara përmes zhvillimit të kapaciteteve në programin mbi aftësitë e jetës dhe këshillimin si dhe zhvillimit të platformës mbi “Zhvillimin ekonomik përfshirës” përmes zbatimit të përshtatshmërisë dhe akomodimit të arsyeshëm në vendin e punës.
“Ky projekt synon të sjellë nga afër të gjithë partnerët vendorë, të rinjtë me aftësi të kufizuara, shoqatat për këta të rinj, si dhe një bashkëbisedim të hapur, lidhur me aksesin e informacionin dhe shërbimet”.
Një ndër organizatorët e këtij aktiviteti, që është dhe vetë person me aftësi të kufizuara, ka mundësuar marrjen e disa fotove pranë institucioneve si dhe subjekteve private, për të demonstruar se në çfarë niveli aktual ndodhet aksesi pranë këtyre institucioneve.
Memetaj bën apel që bashkia t’i japë një vëmendje më të fortë dhe të qartë ndërhyrjejeve konkrete për t’i bërë të aksesueshme këto institucione.





