Ambasadori amerikan Donald Lu ka qenë i pranishëm në një aktivitet në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në kuadër të lidershipit të grave.

Përballë studentëve të Durrësit, Ambasadori u shpreh se SHBA është mbështetje e fortë për të rinjtë dhe shkollimin e tyre.

Lu iu drejtua studentëve dhe gjithë të rinjve të tjerë shqiptarë, që të mos e lënë vendin e tyre, por të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme dhe integrimin shqiptar duke vënë theksin edhe te 'rikthimi i trurit'. Ai iu bëri thirrje të rinjve, që pasi të shkollohen në SHBA, të rikthehen më pas në Shqipëri.

Në nder të vizitës së ambasadorit Lu, u zhvillua edhe ekspozita “Trashëgimia ime, trashëgimia për të gjithë”. Një nismë kjo e ndërmarrë nga departamenti i Turizmit të këtij univeristeti, me iniciativë të lektores Dorina Xheraj.

Xheraj tha për “DurrësLajm” se kjo iniciativë ka nisur kohë më parë dhe ka si qëllim evidentimin e gjurmëve tona. Në këtë kuadër, u ekspozuan të gjitha objektet që janë pjesë e trashëgimisë së studentëve dhe po ashtu të pedagogëve: veshje e objekte shumëvjeçare, diploma, ora e orendi që prej kohës së komunizmit, e sende të ndryshme që janë pjesë e trashëgimisë personale e familjare.

Shumëllojshmëria e këtyre objekteve që datojnë në periudha të ndryshme kohore, njohu të pranishmit me stilin dhe mënyrën e jetesës së shqiptarëve ndër vite, ndarjen sipas shtresave ekonomike e sociale etj.

S.L.