Përfaqësues nga 25 fshatra të zonës së Shijakut kryesisht janë hedhur paraditen e së shtunës në protestë paqësore. Shkak i marshimit të zhvilluar për disa kilometra në fshatin Pjezë e Rreth është degradimi i rrugës së vjetër që lidh Durrësin me Tiranën, e njohur ndryshe si rruga e Ndroqit.
Rreth 400 banorë të fshatrave, në afërsi të Shijakut, marshuan në rrugë duke kërkuar nga qeveria Rama, por edhe nga deputetët e Durrësit rikonstruksionin e rrugës së vjetër Tiranë-Durrës.
Banorët thanë se prej 25 vjetësh nuk është vënë dorë në segmentin rrugor, duke lënë në harresë mijëra familje. Ata thonë se dëmtimi i rrugës ka shkatërruar makinat e tyre, ndërsa nga ana tjetër fermerët nuk mund të nxjerrin në treg produktet e tyre bujqësore.
Banorët janë hedhur në protestë disa herë por deri tani kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Dëshpërimi mbizotëron në prononcimet e tyre dhënë për DurrësLajm, pasi pranojnë se pas 3 protestave të zhvilluara askush s’ka reaguar për shqetësimin e ngritur me të drejtë prej tyre.
Protesta e banorëve u vëzhgua nga policia e Shijakut që kishte dhënë leje për zhvillimin e saj. Gjatë marshimit, nuk u shënuan incidente, përveç disa momenteve, kur rruga u bllokua për qarkullimin e makinave.
K.H.





