Oficeri i policisë franceze, që u vetofrua për shkëmbim me njërin prej pengjeve në ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në një supermarket, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
“Nënkoloneli Arnaud Beltrame, 45 vjeç, ra si hero dhe tregoi një kurajo të jashtëzakonshme”, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron.
Punonjësi i Xhandarmërisë franceze ndihmoi t’i jepej fund sulmit terrorist të një agresori të armatosur që kishte vrarë 3 persona të pafajshëm në një qytet jugor të Francës, përpara se të vritej nga policia.
Në total 16 persona u plagosën, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë, në atë që Macron e përshkroi si një akt të “terrorizmit islamik”.
Terroristi, i identifikuar më pas si 25-vjeçari Redouane Lakdim, raportohet të jetë radikalizuar e gjatë pengmarrjes deklaroi se ishte një ushtar i bindur i Shtetit Islamik.
Lakdim raportohet të ketë kërkuar lirimin e Salah Abdeslamit, të mbijetuarit të vetëm e më të rëndësishëm të sulmeve të 13 nëntorit të vitit 2015 në Paris, nga të cilat humbën jetën 130 persona.