Një në katër persona vdesin nga sëmundjet e zemrës, por në pjesën më të madhe të rasteve është e vështirë të kuptoni shkakun. Megjithatë, ka disa shenja të jashtme të pazakonta që mund të zbulohen me lehtësi dhe që lidhen me sëmundjet e zemrës.

Adam Taylor, drejtor i Qendrës së Anatomisë Klinike dhe profesor në Universitetin e Lancaster, thotë se janë gjashtë shenja që mund të tregojnë për sëmundjet e zemrës.

Zakonisht, për shumë persona shenja e parë që zemra e tyre nuk po funksionin siç duhet, është ataku kardiak. Megjithatë, ekzistojnë disa tipare të jashtme që mund t’ju paralajmërojnë për anormalitet në funksionimin e këtij organi vital.

1-Rrudhat tek veshët

Studimet kanë treguar se ka një lidhje mes rrudhave të dukshme tek veshët me rritjen e rrezikut të aterosklerozës, sëmundje e enëve të gjakut.

2-Gungat

Një tjetër tregues i jashtëm i sëmundjeve të zemrës janë edhe gungat, që zakonisht dalin në fytyrë, duar, brrylat apo dhe në gjunjë. Zakonisht ato janë të padëmshme, por mund të jenë një shenjë e probleme më të mëdha që mund të shfaqen.

3-Thonjtë e zmadhuar

Ky fenomen mund të jetë gjithashtu një shenjë për sëmundjet e zemrës. Ndryshimi i formës së thonjve, që zakonisht zmadhohen, ndodh sepse gjaku i oksigjenuar nuk qarkullon tek gishtat. Ky ndryshim i përmasave ndodh pa dhimbje dhe prek të dyja duart.

4- Yndyrna përreth syrit

Depozitat e yndyrnës përreth pjesës së jashtme irisit të syrit, prek rreth 45% të njerëzve mbi moshën 40-vjeçare. Kjo nuk pengon në shikim, por mund të jetë e lidhur me sëmundjet koronare të zemrës.

5- Mishrat e dhëmbëve

Shëndeti juaj oral mund të tregojë për gjendjen e zemrës suaj. Mishrat e dobët të gojës dhe dhëmbët jo të fortë, sipas studimeve, ka rezultuar se janë shenja të sëmundjeve të zemrës. Goja përmban plot baktere, të mira dhe të këqija. Bakteret e këqija mund të hyjnë në enët e gjakut dhe mund të shkaktojnë sëmundje kardiovaskulare.

6-Ngjyra e buzëve

Zakonisht, buzët kanë një ngjyrë të kuqe, por mund të marrin edhe ngjyrë të kaltër (cianozë) tek personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës. Kjo ndodh për shkak të dëmtimit të sistemit kardiovaskular që lidhet me gjakun e oksigjenuar që shkon tek indet.

Këto gjashtë shenja të sipërcituara, mund të mos kenë lidhje të drejtpërdrejtë me sëmundjet e zemrës. Megjithatë, nëse ju shfaqen, atëherë është më mirë që të konsultoheni me mjekun.