Ujësjellës Kanalizime Durrës vazhdon aksionin në terren për kontrollin dhe verifikimin e të gjithë abonentëve që kanë problem në lidhje me kontrata e furnizimit, gjendjen e matësave si dhe lidhjet e paligjshme. Grupet në terren janë duke kryer kontrolle në çdo banesë private si dhe në blloqet e banimit në Durrës, Shijak dhe njësitë administrative. Prej tre javësh, grupet Task-Forcë kanë nisur të verifikojnë edhe abonentët familjarë, ndërkohë që muaji shkurt ishte vetëm për kontrollin e bizneseve.

Kryeinxhinieri i Ujësjellës Kanalizime Durrës Gerald Dautaj, shprehet se grupet e kontrollit, përveç ligjshmërisë së abonentëve, po verifikojnë edhe gjendjen e matësave. Për ata matës që janë jashtë kushteve teknike, inspektorët e UKD-së po i heqin, pasi duhen vendosur matësit e rinj.

Aksioni në fjalë ka dhënë efekte pozitive vetëm në më pak se dy muaj, pasi përveç rritjes së arkëtimeve, sasia e ujit që mbërrin në depot e furnizimit është më e madhe.

Që nga fillimi i muajit mars, grupet në terren kanë evidentuar dhe ndërprerë furnizimin me ujë për 67 biznese debitore, 436 familjarë debitore, ndërkohë që janë nënshkruar edhe 206 aktmarrëveshje në total. Po për këtë periudhë janë instaluar 1250 matës të rinj si dhe janë hapur 444 kontrata të reja për furnizim me ujë të pijshëm.