Kanali i ujërave të larta që përshkon lagjet nr.7,8,9 të Durrësit dhe vijon deri në Spitallë është një nga shkaktarët e përmbytjes së qytetit në rastet kur regjistrohen reshjet intensive shiut. Duke mos qenë tërësisht funksional ai nuk bën të mundur largimin e ujërave, gjë që sjell më pas për pasojë përmbytjen e qytetit.

Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaron për DurrësLajm se janë parashikuar 1 milion dollarë investime për rehabilitimin e këtij kanali.

Investimi parashikon prishjen edhe të një pjese të varrezave të vjetra për të realizuar projektin e bashkisë.

Durrësi regjistroi përmbytje masive dy ditë më parë, kur qendra dhe të gjitha lagjet e qytetit ishin nën ujë për orë të tëra.

Prezenca e ujit deri në nivelin 40 cm në rrugë shkaktoi anomali të shumta në trafik, ndërkohë që paralizoi thuajse tërësisht lëvizjen sidomos në lagjet më problematike të qytetit.