Një maksi operacion i antimafias dhe i karabinierëve mes provincave të Romës dhe Napolit ka shkatërruar dy organizata kriminale të lidhura me Camorra-n dhe Ndragheta-n aktive në kryeqytetin italian.

Operacioni nisi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa morën pjesë rreth 200 karabinierë të Komandës provinciale të Romës në bashkëpunim me të Napolit, me helikopterë dhe qenë antidrogë për ekzekutimin e 19 urdhrave të arrestit për 19 persona, mes tyre një grua dhe disa shqiptarë.

Mediet italiane shkruajnë se për 16 prej tyre është dhënë masa e arrestit me burg, ndërsa për 3 arrest shtëpie.

Sipas një njoftimi të Karabinierisë, hetimi i karabinierëve të Njësisë investigative të Romës ka bërë të mundur dokumentimin e veprimtarisë së dy organizatave të njohura kriminale, të dyja të armatosura dhe të dedikuara në trafikun e drogës, në bashkëpunim të ngushtë mes tyre.

Në shënjestër dy organizata të armatosura, një me prirje mafioze (Camorra), të drejtuar nga vëllezërit Salvatore dhe Genny Esposito dhe tjetra me boss Vincenzo Polito, që bashkëpunonte me eksponentë të Ndrangheta-s në provincën e Reggio Calabria, familjet Filippone e Gallico, prezentë në kryeqytetin italian. Karabinierët janë duke vijuar me kontrolle të tjera mes Romës e Napolit.