Prokurorët e Koresë së Jugut kërkuan sot miratimin e gjykatës për të arrestuar ish-presidentin Lee Myung-bak lidhur me akuza për korrupsion, pasi sipas tyre nëse nuk arrestohej ai mund të shkatërronte provat.
Pasi intervistuan Lee për orë të tëra javën e kaluar, prokurorët e akuzuan atë për vjedhjen e miliona dollarëve nga Agjencia Kombëtare e Zbulimit, grupet e biznesit dhe nga një ish-ligjvënës.
Gjykata e distriktit Qendror në Seul pritet të vendosë më vonë gjatë javës nëse do të lëshojë një urdhër arresti.
Nëse arrestohet, Lee, një konservator që ka qeverisur prej vitit 2008 deri në 2013, do të ishte udhëheqësi i katërt i gjallë i Koresë së Jugut i akuzuar për korrupsion përpara largimit apo pas lënies së detyrës. Lee i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se janë hakmarrje politike e qeverisë aktuale liberale e Presidentit Moon Jae-in.
Sipas medias vendase një prokuror i lartë ka thënë se “çdo akuzë është një shkelje e rëndë që kërkon arrestim zyrtar. Ne besojmë se ekziston një rrezik i madh për shkatërrim të mundshëm të provave, nëse ai nuk ndalohet”.
Akuzat ndaj Lee përfshijnë një pretendim se gjigandi elektronik Samsung ka blerë një vendim për falje presidenciale në 2009 për kryetarin e saj Lee Kun Hee, i cili ishte dënuar për evazion fiskal.