Një ditë pas situatës kaotike në Durrës për shkak të përmbytjeve si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, në disa zona të qytetit situata vazhdon të jetë problematike për banorët.
Në një vëzhgim nga "DurrësLajm", duket qartë se niveli i ujit në lagjen numër 14, e njohur si zona e Ish-Kënetës, është ende i lartë nëpër rrugica.
Lëvizja e qytetarëve është mjaft e vështirë ndërsa bizneset në këtë zonë kanë ulur qepenat, pasi banorët janë mbyllur në banesat e tyre.
Për ta kjo nuk është hera e parë që përmbyten dhe uji e balta vërshon në banesat e tyre pas reshjeve, sepse për shkak të bllokimit të kanaleve kjo situatë është e përsëritshme. Pavarësisht kësaj, askush nuk iu ka ardhur në ndihmë për zgjidhjen e problemit të tyre.
Në këto kushte, edhe fëmijët e kanë patur të pamundur për të shkuar në shkollë e kopshte pasi kjo lagje është ende nën "pushtetin" e ujit.





