Bashkimi Evropian ka vazhduar sot edhe zyrtarisht ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e vizave kundër 150 zyrtarëve rusë dhe separatistëve ukrainas të mbështetur nga Rusia.
Zgjatja e sanksioneve vlen edhe për 38 subjekte.
Më 2014, Bashkimi Evropian i ka vënë sanksionet e para kundër personave të përfshirë në cenimin e integritetit territorial të Ukrainës, pas vendimit të Rusisë për ta aneksuar Krimenë.
Sanksionet janë vazhduar çdo gjashtë muaj që nga ajo kohë.
Në listën e të sanksionuarve përfshihen ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, zëvendëskryeministri, Dmitry Rogozin, shefi i Stafit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Valery Gerasimov dhe prezantuesi televiziv, Dmitry Kiselyov.
Lista e subjekteve është e dominuar nga batalionet e mbështetura nga Rusia që veprojnë në lindje të Ukrainës, si dhe disa kompania të Krimesë.
Sanksionet ekonomike të BE-së kundër Rusisë që kryesisht aplikohen në sektorin energjetik dhe atë bankar, pritet të përtërihen në muajin korrik.
Mirëpo, një vendim për këto sanksione pritet të merret në fund të muajit qershor gjatë një takimi me liderët evropianë.