Eventi i organizuar nga shoqata “Titans Fight më 9 mars në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, ku të ardhurat do të shkojnë për bamirësi në ndihmë të Shtëpisë së foshnjes në Durrës, ishte një spektakël i ndërthurur me muzikë, ndeshje boksi e kickboksi si dhe humor.
Mbrëmja nisi me himnin kombëtar, i kënduar nga këngëtari i njohur Kastriot Tusha, për të vazhduar me fjalimin e qytetarit të 1 të Durrësit, kryebashkiaku Vangjush Dako.
Boksierët më të spikatur të ringjeve shqiptare si Ardit Murja, Arjon Kajoshi, Emiljano Xhediku, Bekim Vjerdha etj, u ndeshën me rivalët e tyre nga vendet e rajonit, ku durrsaku Murja arriti të rrëmbente fitoren në ring duke i dhuruar emocione publikut.
Gjatë mbrëmjes u organizuan edhe ndeshje mes boksiereve femra, ndërsa këngëtaret e muzikës moderne Noyzi dhe Stine performuan hitet e tyre të momentit.
Dyshja e humorit Bes Kallaku dhe Erion Isaj gjithashtu u ngjitën në ring jo për ndeshje boksi por për të argëtuar publikun.
Surpriza e mbrëmjes padyshim ishte edhe ndeshja përmbyllëse mes boksierit më të mirë të rajonit të Ballkanit, Armend Xhoxhajt dhe rivalit Mirnes Denadic.
Në eventin e organizuar nga presidenti i “TITANS GYM”, Fred Shoshi dhe trajnerët Enton Kikrri, Jani Nano merrnin pjesë përfaqësues të ministrisë së Sporteve, bashkisë së Durrësit, Federatës së boksit si dhe biznesmenë e sportdashës durrsakë.





