Prokurorët turq kanë lëshuar urdhërarreste për 243 njerëz, përfshirë 92 mësues, nën dyshimet se ata kanë lidhje me klerikun fetar, Fethullah Gulen
Ankaraja e fajëson Gulenin për organizimin e përpjekjes për grusht shteti, në vitin 2016, por Gulen i mohon akuzat.
Mësimdhënësit e 20 provincave kanë punuar në shkolla që janë mbyllur më herët për shkak të lidhjeve të dyshuara me Gulenin, raporton agjencia turke e lajmeve Anadolu.
Pesëdhjeteshtatë veta të tjerë kërkohen për përdorim të ByLock, një aplikacion i koduar i mesazheve, për të cilin qeveria thotë se është përdorur nga rrjeti i Gulenit.
Mbi 50,000 njerëz janë burgosur dhe mbi 150,000 të tjerë janë shkarkuar ose pezulluar nga ushtria, shkollat dhe institucionet publike, që nga puçi i dështuar më 15 korrik, 2016.
Mbi 250 veta janë vrarë në trazirat e asaj dite.
Kritikët thonë se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka shfrytëzuar përpjekjen për grusht shteti si pretekst për të heshtur disidentët.
Turqia thotë se masat strikte janë të nevojshme për shkak të kërcënimeve të sigurisë me të cilat ballafaqohet. /REL