Dëbora ka paralizuar për të dytën herë brenda një jave, verilindjen e Shteteve të Bashkuara. Një 88-vjeçare humbi jetën në Nju Jork mbrëmjen e të mërkurës, pasi u zu poshtë nga një pemë që u thye nga erërat e forta.
Trashësia e dëborës, që në disa zona të Nju Jorkut arriti në 30 centimetra shkaktoi probleme në qarkullimin rrugor. Në autostradat hyrëse, shoferët qëndruan për orë të tëra të bllokuar në rrugë. Stuhitë dëmtuan linjat elektrike, duke lënë pa energji rreth 800 mijë abonentë, kryesisht në Nju Jork e Nju Xhersi.
Mbi 2 mijë fluturime janë anuluar gjatë orëve të fundit, por pritet të anulohen edhe të tjera, teksa stuhia vijon rrugëtimin drejt veriut. Ekipet e emergjencës po punojnë për zhbllokimin e rrugëve, teksa stuhia pritet të ketë ndikim në mbi 60 milionë njerëz.