Cigaret elektronike gjithnjë e më shumë po përdoren si një alternativë e nikotinës teksa duhanpirësit kërkojnë mënyra për të hequr zakonin e tyre.

Këto lloj cigaresh punojnë duke ngrohur një lëng të pastër të quajtur e-lëng, i përbërë nga aromatizues, propilen glikol, glicerinë dhe shpesh nikotinë – derisa avullojnë.

Avulli është shumë më pak bezdisës sa tymi i cigares si për duhanpirësit ashtu edhe për jo duhanpirësit.

Por përdorimi i tyre është rrethuar nga debati, duke u përqendruar në mungesën e provave lidhur me dëmet që shkaktojnë nga përdorimi afatgjatë si dhe potencialin e tyre për të vepruar si një portë për pirjen e duhanit në mesin e adoleshentëve.

Një studim i botuar të hënën në revistën Pediatrics zbuloi pesë toksina që shkaktojnë kancer në urinën e 16-vjeçarëve të cilët thithin avullin e cigareve dhe një studim i dytë zbuloi përsëri se e-cigaret inkurajojnë adoleshentët të fillojnë pirjen e cigares tradicionale.

Javën e kaluar, një studim i rreth 70.000 njerëzve zbuloi se përdorimi i përditshëm i cigareve mund të dyfishojë rrezikun për sulme në zemër. Nëse përdoruesi vazhdon të pijë cigare të rregullta çdo ditë së bashku me e-cigare, rreziku i kombinuar rritet pesë herë.

"Cigaret elektronike janë promovuar gjerësisht si një ndihmë për ndërprerjen e pirjes së duhanit, por për shumicën e njerëzve ata e bëjnë më të vështirë të lënë duhanin, kështu që shumica e njerëzve përfundojnë si të ashtuquajturit 'përdoruesit e dyfishtë' që vijojnë pirjen e duhanit gjatë përdorimit të cigareve elektronike" tha Stanton Glantz, autor kryesor i studimit të fundit.

Shkenca dhe politika publike kanë debatuar për më shumë se një dekadë, pasi që studime të ndryshme prodhojnë rezultate të ndryshme – dhe nganjëherë kontradiktore.