Detaje tronditëse dalin në dritë nga vrasja-vetëvrasja e pak ditëve më parë në zonën e Cisternas, në Itali.

Karabinieri italian Luigi Capasso që plagosi rëndë gruan e tij, vrau dy vajzat e mitura dhe më pas veten e kishte paramenduar krimin, madje kishte ndërmarrë gjithë hapat e nevojshëm për të lënë të sistemuara të gjitha gjërat pas vdekjes.

Ai kishte lënë edhe një zarf me 10 mijë euro brenda, që do të përdoreshin për varrimin e 4 anëtarëve të familjes.

Karabinierët gjetën në shtëpinë ku u konsumua tragjedia një zarf të madh, brenda të cilit ishin 5 zarfe më të vegjël, të cilat u ishin adresuar familjarëve të tij.

Prindërve të tij, Luigi është munduar t’u shpjegojë arsyet e gjestit tronditës. Telefonata në polici e gruas së tij në muajin janar dhe kontradiktat në çift e kanë shtyrë karabinierin të mendonte eleminimin e familjes së tij.

Në zarfe, ai madje u ka lënë disa çeqe vëllezërve të tij, duke ndarë kështu paratë që i kishin mbetur nga kursimet.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në 28 shkurt. Luigi Capasso, 44 vjeç, ka plagosur rëndë gruan e tij Antonietta Gargiulo, 39 vjeç dhe më pas është mbyllur në shtëpi, ku ndodheshin edhe dy vajzat e mitura të çiftit.

Ai ka vrarë në gjumë dy vajzat 13 dhe 8 vjeçe dhe pas disa orësh i mbyllur në shtëpi është vetëvrarë. Krimi i rëndë brenda familjes tronditi opinionin publik italian.