Rusia i dërgon një mesazh të qartë kërcënues Perëndimit, me shpalosjen e programit raketor dhe teknologjisë së re mbrojtëse. Në një fjalim të gjatë përpara deputetëve, Presidenti Vladimir Putin prezantoi vetë arsenalin ushtarak të vendit të tij, duke nënvizuar se Rusia mbetet fuqia e parë bërthamore në botë.
“Tani na dëgjoni ju ne! Ju që përmes sanksioneve të paligjshme keni tentuar të pengoni prej vitesh zhvillimin tonë. Nuk ja keni dalë, të gjitha përpjekjet tona për t’u zhvilluar janë përmbushur. Ju duhet të merrni parasysh se ky është një realitet i ri dhe, nuk është një bllof.”
Arma kryesore që prezantoi presidenti rus, ishte raketa e re ndër-kontinentale, për të cilën Putin tha se mund të arrijë në çdo cep të globit dhe që nuk mund të ndalohet nga asnjë program anti-raketor. Një sistem i ri mbrojtjeje dhe një nëndetëse bërthamore u prezantuan gjithashtu.
Megjithatë Putin theksoi se ky nuk është kërcënim për askënd, pasi Rusia nuk ka qëllim të sulmojë, por vetëm të mbrohet.
Prova e forcës ushtarake nga ana e presidentit rus, vjen në prag të zgjedhjeve presidenciale, ku Putin do të kërkojë një mandat të katërt.