Një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Vlorën më 22 janar të këtij viti, kur nënë dhe bir u dogjën brenda në banesë, policia ka shoqëruar disa të afërm të viktimave. Nisur nga fakti se ekspertiza tregoi se viktimat Salkie Hoxhallari, 73 vjeçe dhe i biri, Olsi 43 vjeç, ishin vrarë para se të digjeshin, në polici u shoqërua edhe gruaja e 43-vjeçarit.

Ekspertiza tregoi se burri ishte goditur me sëpatë në kokë, ndërsa nëna e tij e moshuar ishte mbytur me tel, ndërsa flinin.

Në dëshminë e saj para hetuesve të çështjes, gruaja e Olsit, nëna e një djali 3 vjeç, është shprehur se ka qenë me burrin dhe vjehrrën deri pak orë para ngjarjes dhe vetë ata i kanë kërkuar që të shkojë të vërë djalin e vogël për të fjetur.

“Rreth orës 11:30 minuta e lashë tim shoq dhe vjehrrën duke parë televizor dhe kalova në dhomën tjetër për të fjetur. Nuk kam dëgjuar asgjë. Rreth orës 4 të mëngjesit më zgjoi një si zhurmë, shpërthim, pashë tym e flakë dhe thirra menjëherë komshinjtë për ndihmë. Kur shkova, derën e gjeta të mbyllur nga brenda dhe e hapa me forcë. Kur hyra brenda në dhomë, i gjeta të dy pa shenja jete, ndërsa orenditë ishin djegur thuajse të gjitha”, ka dëshmuar Hysnie Hoxhallari, para policisë.

E veshur në të zeza për vdekjen e familjarëve të saj, duke folur për kamerën e “News24”, pas ngjarjes ajo tha se donte drejtësi dhe të zbardhej e vërteta.

Por hetimet e policisë treguan se gruaja 32-vjeçare dhe një 26-vjeçar nga Fieri, Kasëm Pirjasi, janë autorë të krimit të ngjarjes.