Një shqiptar 33-vjeçar është gjetur i pajetë në ambientet e spitalit Perrino në Brindisi të Italisë, paraditen e sotme.

Siç raportojnë mediat lokale, shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është vetëvarur në një pemë.

Shkaqet e aktit ekstrem nuk dihen ende. Sipas raportimeve, shqiptari nuk ka lënë ndonjë letër ku të shpjegonte veprimin e tij. Ai kishte hyrë kohë më parë në Itali me vizë turistike.

Në trupin e tij nuk janë gjetur shenja dhune, ç’ka i ka shtyrë hetuesit të besojnë se i riu shqiptar është vetëvarur.

Në xhepat e pantallonave i janë gjetur para, pasaporta dhe një biletë autobuzi për në Shqipëri, e blerë pak ditë më parë në Romë.

Shqiptari nuk ka të afërm apo miq në Itali, për këtë arsye është njoftuar konsullata shqiptare në Itali, që të vihet në kontakt me prindërit e tij.

Mësohet se shqiptari është shoqëruar mbrëmjen e së martës nga porti i Brindizit drejt urgjencës së spitalit, por pasi ka mbërritur aty është zhdukur, për t’u gjetur i vetëvarur vetëm mëngjesin e sotëm.