Drejtësia amerikane shpalli fajtorë 13 shtetas dhe tre entitete ruse për ndërhyrje në zgjedhje dhe procesin politik amerikan, sipas një komunikate të prokurorit special të ngarkuar me këtë çështje, Robert Mueller.

“Të gjithë fajtorët akuzohen për komplot në kuadër të mashtrimit të SHBA-së, tre prej të cilëve akuzohen gjithashtu për mashtrim bankar dhe pesë të tjerë për vjedhje të identitetit”, thekson komunikata.

“Ky komplot kishte për qëllim ndërhyrjen në procesin politik dhe zgjedhor amerikan duke përfshirë dhe zgjedhjet presidenciale 2016, fituar nga Donald Trump”, sipas dokumentit të publikuar nga Ministria e Drejtësisë, raporton atsh.

Aktakuza konfirmon se Evgueni Prighozine, një aleat i presidentit rus, Vladimir Putin ka financuar këtë grup që ka pasur si objektiv strategjik përhapjen e mosmarrëveshjeve në sistemin politik amerikan dhe i cili ka mbështetur fushatën e Trump dhe denigruar Hillary Clinton që prej mesit të vitit 2016.