Veprimet e para të ditës janë vendimtare për të arritur një nivel energjie dhe një ritëm të mirë metabolizmi.
Por janë disa gabime që bëjmë në mëngjes që mund të humbin energjitë tona që në fillim të ditës. Ja disa prej tyre:
Dhe pesë minuta…
E kush prej nesh nuk do të donte të flinte dhe 5 minuta më shumë, para se të çohet nga shtrati? Por ja që është gabim për ata që duan të humbasin peshë. Ato minuta mund t’i shfrytëzoni për të bërë ushtrime fizike, apo një mëngjes të mirë. Ideale do të ishte të zgjoheshit të paktën 15 minuta më para se zakonisht, për të krijuar disa zakone që të ndihmojnë në ritmin metabolik. Por mos harroni, sasia ditore e gjumit nuk duhet të jetë më pak se 7 orë.
Mos hidratimi i trupit
Në fakt është një nga zakonet më të zakonshme por edhe ndër më të dëmshmit. Gjatë natës në gjumë, trupi përdor lëngjet për të vijuar proceset e tij. Kjo është arsyeja që në mëngjes kur zgjohemi kemi një farë dehidratimi. Konsumi i ujit në orët e para të ditës, apo më mirë akoma sapo zgjohesh nga gjumi, ndihmon në hidratimin e trupit dhe në funksionin e tij gjatë ditës. Përfitimet do të jenë më të mëdha nëse shtoni pak lëng limoni apo erëza pastruese.
Nuk hani një mëngjes të mirë
Vakti i parë i ditës është thelbësor për funksionimin e mirë të metabolizmit, përveçse furnizon trupin me energji. Të zëvendësosh një mëngjes me një kafe me biskota ngadalëson metabolizmin dhe të ndalon të humbësh peshë. E njëjta gjë vlen dhe kur dëshironi ta kapërceni këtë vakt, të bindur që nuk keni marrë kalori. Një mëngjes i mirë mbulon 25% të nevojave kalorike të ditës dhe duhet të ketë proteina, karbohidrate dhe fibra.
Nuk e hani mëngjesin në orarin e duhur
Dhe orari ka shumë rëndësi për të përfituar nga mëngjesi. Nëse hani mëngjes shumë vonë, hormonet e urisë aktivizohen në mënyrë të pakontrolluar dhe ju çojnë në zgjedhje të gabuara ushqimi. Për më tepër, nëse e vononi në orar mëngjesin, metabolizmi për djegien e yndyrnave dhe kalorive bëhet më i ngadaltë.
Konsumoni mesvakte jo të shëndetshme
Për të mbajtur metabolizmin aktiv, dhe në të njëjtën kohë të evitoni lodhjen e mëngjesit, këshillohet një mesvakt paradite. Këto i japin trupit energji ekstra, duke ndihmuar në funksionet e tij. Problemi është që shpesh nuk dimë të zgjedhim mesvaktin e duhur dhe përfundojmë duke ngrënë ushqime me shumë kalori. Është mirë që të shmangni konsumin e bukës, ëmbëlsirave, pijeve kalorike apo me pana. Ideale do të ishin fruta, perime apo drithëra integrale.
Stresi dhe puna
Në orët e para të ditës së punës është normale të ndjeheni pak nën presion, duke menduar aktivitetin që kemi gjatë gjithë ditës. Por kur jeni nën stres, trupi liron sasi të madhe kortizoli, një lloj hormoni që vepron me gjendjen shpirtërore por edhe në metabolizëm. Për rrjedhojë, hormoni është i lidhur me tendencën e madhe të mbledhjes së yndyrnave në zonën e barkut.