Personi që shihni në foton kryesore është Sulejman Ibrahimi, ish-kryetari i Komunës Ishëm, lindur dhe banues në Durrës, që u arrestua sot bashkë me 3 ish-punonjës të tjerë të kësaj komune, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” e kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sulejman Ibrahimi, me detyrë ish-kryetari i Komunës Ishëm nga viti 2011-2015, duke shpërdoruar detyrën, dyshohet se u ka dhënë toka familjarëve e të afërmve të tij në kundërshtim me ligjin dhe me dokumente të falsifikuara.
Në kuadër të një aksioni bashkëpunimi mes Prokurorisë dhe Policisë së Durrësit, i cili vijon ende, bashkë me Ibrahimin, u arrestuan edhe Enver Shima, (me detyrë ish-përgjegjës i zyrës së Bujqësisë në ish- Komunën Ishëm); Ornela Shëmlikaj (me detyrë sekretare arshivë protokoll në ish-Komunën Ishëm, aktualisht në detyrë në Njësinë Administrative Ishëm), ndërsa për shtetasen Shpresa Merdita, (me detyrë ish- punonjëse e zyrës së Urbanistikës në ish- Komunën Ishëm, aktualisht avokate në Durrës) është dhënë masa e arrestit shtëpiak.
Ndërkohë janë duke u hetuar më shumë se 40 raste të tjera (disa janë familjarë dhe të afërm të ish-kryetarit Ibrahimi), të cilat dyshohen se janë dhënë gjatë viteve 2013-2014, me dokumente të falsifikuara. Hetimet vijojnë dhe nuk jepen detaje të tjera për shkak të sekretit hetimor.





