Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës nisi një hetim paraprak mbi dyshimet për krime kundër njerëzimit të kryera nga presidenti filipinas, Rodrigo Duterte, në “kryqëzatën” e tij brutale kundër drogës.
Gjykata mori vitin e shkuar një raport që paraqiste prova se, Duterte ishte përgjegjës personalisht për ekzekutimet pa gjyq dhe vrasjet masive gjatë 3 dekadave, që kur ai nisi luftën kundër drogës në vitin 1988, ndërsa ishte kryebashkiak i qytetit Davao.
Statistikat zyrtare në Filipine tregojnë se, 4.000 njerëz janë vrarë nga policia në operacionet antidrogë, që kur Duterte u bë president. Por, në raportin e prezantuar nga një avokat filipinas shkruhet se, bilanci i viktimave i kalon 8.000.
Prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale thanë se do të hetojnë dyshimet për krime, të kryera të paktën që prej 1 korrikut 2016, në kuadër të fushatës kundër drogës.
Që prej marrjes së pushtetit në vitin 2016, Duterte nisi fushatën e premtuar kundër drogës dhe kritikët e tij thonë se policia ekzekuton e mbrojtur nga presidenti.
Vet Duterte nuk ka folur për hetimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, por më herët e ka cilësuar atë si një institucion plehrë, hipokrit dhe të padobishëm, madje edhe e ka sfiduar që ta gjykojë.