Bashkimi Europian kërkon të jetë në gjendje të kufizojë qasjen e Britanisë në tregun e përbashkët, nëse do të ketë kontradikta pas “Brexit”.
Sipas BBC-së, e cila siguroi një dokument konfidencial të BE-së, aftësia për të pezulluar përfitime të caktuara do të ketë fuqi gjatë periudhës së tranzicionit “post-Brexit”, para se marrëveshjet finale të hyjnë në fuqi.
Sipas medieve, kjo përmendet edhe në marrëveshjen e tërheqjes së Britanisë nga BE-ja, që nuk është finalizuar ende. Sipas Londrës, dokumenti thjesht reflekton direktivat e BE-së, por shumë njerëz në Britani, sidomos përfaqësuesit e partisë pro “Brexit”, UKIP, shfaqën zemërim se marrëvëshja për tranzicionin krijon një Britani “Vichy”, një referencë ndaj qeverisë franceze gjatë luftës që komandohej nga nazistët.
Periudha e tranzicionit nis menjëherë pasi Britania del nga BE-ja, më 29 mars 2019, dhe mbaron më 31 dhjetor 2020.
Londra thotë se kjo periudhë i lejon bizneset t’i përshtaten marrëdhënies së re. Brukseli, nga ana tjetër, kërkon që gjatë kësaj kohë të vlejnë ende rregullat e BE-së, si dhe vendimet e Gjykatës europiane të Drejtësisë.
Në dokumentin e zbuluar nga mediet shkruhet se, nëse një çështje në Gjykatën europiane zgjat, marrëveshja siguron mekanizmin që lejon unionin të pezullojë disa përfitime të Britanisë nga tregu i përbashkët.
Një pjesë e konsiderueshme politikanësh në Britani nuk janë të kënaqur me idenë që Britania do të ndjekë rregullat e BE-së, por s’do të ketë zë te to, ndërsa paralajmërojnë se kur të ndodhë “Brexit” në mars të vitit 2019, do të jetë thjesht në letër. /tch