Nga Andi Bushati
Të gjithë figurat kryesore të LSI-së janë hedhur në një sulm frontal për ta paraqitur si politik arrestimin e një drejtori të rrugëve që ishte pjesë e kësaj partie. Po të lundrosh në rrjetet sociale, që prej fundjavës së shkuar e deri më sot, do të bombardohesh nga statuset e deputetëve që e konsiderojnë arrestimin politik, të urdhëruar nga Edi Rama, e madje, madje, nuk ngurojnë të kërcënojnë as prokurorët që po i hidhnin këto hapa. Natyrisht, që të kesh dyshime për mënyrën se si po degradon drejtësia nën trysninë manipulative të Edi Ramës dhe nën bashkëfajësinë symbyllur të diplomatëve të huaj, nuk është ndonjë mëkat. Metodat e përdoruara nga shumica për kapjen e paligjshme të Prokurores së Përkohshme dhe zinxhiri i skandaleve që po i lënë vend njëri – tjetrit për të zeruar dosjen Tahiri – Habilaj, kanë ngritur kohët e fundit shumë pikëpyetje. Ato gjithnjë e më tepër po shtojnë shqetësimin se “reforma në drejtësi” ishte një proces që në vend të na vinte vetullat na nxori edhe sytë. Se ajo që u paraqit si hapi i madh për shkëputjen e prokurorisë dhe gjyqësorit nga duart e politikës, po degradon në kthimin e tyre në vitet 90, kur ato përdoreshin si armë në luftën brenda llojit.
Por, pavarësisht këtyre frikërave për përdorimin nga Edi Rama të një kundërpushteti që supozohet ta kontrollojë atë vetë, në fushatën e fundit të LSI-së vërehet një mungesë e theksuar koherence. Në deklaratat e saj atakohet direkt Prokuroria e Krimeve të Rënda, si e kapur nga kryeminiistri. Dhe ky qëndrim ka shpërthyer vetëm pas arrestimeve të fundjavës së shkuar. Deri para tyre, LSI ishte pozicionuar pro kësaj prokurorie dhe kundër Edi Ramës, që nuk i lejoi asaj arrestimin e Tahirit. Po të afrohemi më shumë në kohë, partia e Monika Kryemadhit e shndërroi me të drejtë në problem kombëtar ektradimimin e paligjshëm të financierit të bandës së Habilajve, Nezar Seiti. Vetë kryetarja e LSI-së kërkoi “arrestimin” e Ministres së Drejtësisë që kishte hedhur firmën për të penguar hetimet.
Pra, nënteksti i gjithë kësaj beteje ishte i qartë. Pushteti donte t’a hiqte qafe Seitin se ai po zbërthehej përpara prokurorëve të krimeve të rënda. Pra se këta të fundit ishin në “anën e së mirës” dhe Edi Rama, Etilda Gjoni e kompani në “anën e së keqes” që donin të pengonin hetimin. Por, pa u zbehur ende ekoja e këtij angazhimi, sapo disa njerëz të saj përfunduan pas hekurave (askush nuk mund të thotë ende me apo pa të drejtë), nga heronj të drejtësië, prokurorët e krimeve të rënda u pikturuan nga LSI-a si të kapur nga Edi Rama. Krerët e saj nxituan të flasin për arrestime politike, fiks ashtu sikurse kish bërë Edi Rama në rastin Tahiri. Monika Kryemadhi i harroi të gjitha përbetimet që kish bërë në studio televizive, se ajo nuk do ekthente forcën e saj politike në strehë të ish zyrtarëve të dyshuar, pasi ata duhet të mbroheshin vetë.
Eshtë, kjo mungesë e plotë koherence që rrezikon ta shndërrojë në nul opozitarizmin e fortë të LSI. Sepse ajo, jo vetëm shkakton konfuzion te publiku, por dhe e zhvesh aksionin opozitar nga çdo lloj parimësie. Ajo vetëm se shton shijen e keqe që shqiptarët kanë për këtë klasë politike që sillet gjithmonë sipas devizës: “është e drejtë ajo që më shkon për shtat mua”. Pikërisht këtë bëri kësaj radhe LSI-a, duke u sjellë njësoj si Edi Rama dhe duke përsëritur gabimin tragjik të të gjitha opozitave tona që mundohen ta luftojnë dëshpërimisht pushtetin me të njëtat armë që përdor ai./Lapsi