Nxënës dhe banorë të ish-Kënetës, ditën e sotme kanë ecur mbi mbikalimin e ri metalik për të kaluar nga njëri krah i zonës në tjetrin.

Mungesa e tij, ishte shndërruar në makthin e qytetarëve që prej ndërtimit të autostradës, të cilët çdo ditë të jetës së tyre rrezikoheshin nga makinat, pasi në mungesë të një 'rruge' të sigurtë, detyroheshin të kalonin në atë të mjeteve pa asnjë lloj mbrojtjeje.

Shqetësuese situata ishte sidomos për fëmijët që shkonin në shkollë e që mundësia për tu aksidentuar ishte gjithmonë prezente.

Nisur nga kjo, shumë prindër janë detyruar të largojnë fëmijët e tyre nga institucioni i dijes, siç e pohon edhe drejtoresha e shkollës 9-vjeçare "E Re", Pashke Marku, e cila ndërtimin e mbikalimit e shikon si zgjidhje të një problemi të madh. 

Në fjalën e saj, Marku iu bën thirrje prindërve të rikthejnë sërish fëmijët në shkollë tani që ata nuk do të jenë më në rrezik për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën.

Kryetari i njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku, theksoi se ky mbikalim ka shumë rëndësi për banorët e sidomos për fëmijët pasi shmang ngjarjet aksidentale.

Sipas Mazrrekut, mungesa e mbikalimit ka qënë një shqetësim jo vetëm për qytetarët por edhe institucionet drejtuese të kësaj zonë.

Vetë nxënësit pohojnë se më parë për ta ishte e vështirë dhe e frikshme njëkohësisht, që të kapërcenin trafikndarësen e autostradës, e cilësuar si "rruga e vdekjes" pasi automjetet që ecin me shpejtësi iu rrezikonin jetën, ndërsa tani ndihen më të sigurtë.

G.D.