Vuajtja nga migrena mund të jetë shenjë e problemeve të fshehta shëndetësore me zemrën, ka zbuluar një studim prej 19 vitesh, ku janë përfshirë më shumë se gjysmë milionë njerëz. Problemet kardiovaskulare si ataku në zemër, goditja në tru, mpiksja e gjakut dhe rrahjet e çrregullta të zemrës lidhen të gjitha me migrenën, sipas një studimi të publikuar tek Revista Mjekësore Britanike.
Shkencëtarët kanë zbuluar se njerëzit të cilët vuajnë nga migrena janë më të rrezikuar që të pësojnë atak në zemër krahasuar me ata që kanë simptoma më të lehta të dhimbjes së kokës – 25 për 1000 krahasuar me 17 për 1000, shkruan “shëndeti”.
45 në 1000 persona që vuajnë nga migrena kanë pësuar gjithashtu një formë të zakonshme të goditjes në tru, 20 më shumë se ata që nuk vuajnë nga migrena. Rastet e zhvillimit të goditjes në tru të lidhura me hemorragjitë gjithashtu janë më të larta tek pacientët me migrenë (11 krahasuar me 6).
Shkencëtarët danezë dhe amerikane kanë grumbulluar të dhëna nga pacientët mes viteve 1995-2013.
Nga të gjithë njerëzit e përfshirë në studim, 51 mijë prej tyre ishin të diagnostikuar me migrenë, ndërsa më shumë se 510 mijë ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Hulumtuesit shkencorë zbuluan se mosha mesatare e personave të diagnostikuar me migrenë ishte 35 vjeç dhe 71% ishin të gjinisë femërore.
“Gjatë studimit u zbulua se migrena lidhet me një rrezik më të madh për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Prandaj migrena duhet të konsiderohet si një faktor rreziku potencial dhe i përhershëm për pjesën më të madhe të sëmundjeve kardiovaskulare si tek meshkujt ashtu edhe femrat”, thonë shkencëtarët.