Karabinierët italianë janë vënë në kërkim të personit që ndau në pjesë trupin e një 18-vjeçareje dhe e futi në dy valixhe që u gjetën në zonën e Pollenza-s, Materatese.
Sipas policisë së cilës i referohen mediet italiane, bëhet fjalë për 18-vjeçaren Pamela Mastropietro, nga Roma, e strehuar prej disa javësh në një qendër rikuperimi, nga e cila ishte larguar me dëshirën e saj më 29 janar, pa marrë me vete telefonin dhe dokumentet, por vetëm një valixhe të madhe kuq e blu.
Dyshohet se valixhja që mori me vete vajza e re ishte një prej dy valixheve në të cilat u gjet i copëtuar trupi i saj.
Trupi u gjet i ndarë në pjesë, pa rroba dhe pa shenja gjaku.
E ëma e vajzës, mjaft e tronditur nga krimi makabër ka deklaruar se nuk është në dijeni të arsyes se pse Pamela u largua nga qendra e rikuperimit.
Ishte pikërisht nëna e vajzës që deklaroi zhdukjen e saj. Sipas banorëve të zonës, rreth orës 23.00 të së martës, qentë e tyre nisën të lehnin pa pushuar dhe kjo sipas hetuesve mund të jetë ora kur janë braktisur në zonë dy valixhet me trupin e 18-vjeçares.
M.B.