Policia ka zyrtarisht të dyshuarin e parë për vrasjen e 41-vjeçarit Devi Kasmi, ose Dëfrim Kasmi, natën e kaluar në kryeqytet.

Policia ka shpallur në kërkim Domart Konjarin, 44 vjeç, i liruar dy vite më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për shkelje procedurale edhe pse rezultonte i dënuar në Francë me 10 vite burg.

Emri i Domart Konjarit doli pas dyshimeve të policisë se viktima Devi Kasmi ka tentuar të vrasë në Spanjë me 5 plumba, por ai mbijetoi.

“Më datë 29.01.2018, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit Domart Besnik Konjari, i datëlindjes 11.07.1973, banues në Tiranë, me arsim 12 klasë, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’ dhe “Armëmbajtje pa leje”, sepse në orën 18:20, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin Devi (Dëfrim) Bilbil Kasmi, i datëlindjes 08.08.1976, banues në Tiranë, me arsim të lartë”, deklaron policia.

Gjykata për Krimet e Rënda më 17 janar rihapi procesin gjyqësor ndaj Domart Konjarit, i njohur si miku i Franc Konomit. Konjari akuzohet për disa vepra të rënda penale të kryera në Francë, mes të cilave “trafik i narkotikëve”, “organizatë kriminale” dhe “pastrim parash”.

Gjykata refuzoi kërkesën e mbrojtjes për transferim të procedimit penal në Francë. Ai u arratis pak pasi Apeli për Krimet e Rënda zbuti masën e sigurisë “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”.

Domart Konjari është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana. Ai akuzohet si drejtues i një grupi të trafikut të drogës në Francë. Sipas prokurorisë, Konjari është i përfshirë në trafikun e kokainës dhe heroinës nga Amerika Latine në Europë e kryesisht në Francë. Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës në disa shtete të Europës Qendrore pasi mendohet se ka lidhje direkte me burimin në Amerikën e Jugut.