Më shumë se 12 milionë kuti qumështi pluhur janë tërhequr nga 83 vende në mes të skandalit për salmonelë që ka përfshirë kompaninë franceze Lactalis.

Drejtori ekzekutiv Emmanuel Besnier konfirmoi përmasat e rrezikut te kontaminimit për mediat franceze. Tërheqja nga tregu e produkteve Picot, Milumel dhe Taranis ka filluar që në muajin dhjetor kur bakteri i salmonelës u gjet në një fabrikë.

Që atëherë janë ngritur një sërë padish nga prindër që kanë ushqyer fëmijët e tyre me qumështin e formulës, të pavetëdijshëm për kontaminimin. Siç bëri të ditur një zëdhënës i Lactalis të gjitha vendet e prekura në Europë, Azi, Amerikën Latine dhe Afrikë janë lajmëruar.

Sipas tij, Britania e Madhe dhe SHBA nuk janë të prekura. Grupi Lactailis është një prej prodhuesve më të mëdhenj të prodhimeve të bulmetit në botë, me shitje vjetore që prekin vlerën e 17 miliardë dollarëve. Ajo numëron 246 fabrika prodhimi në 47 vende dhe punëson 15 mijë persona vetëm në Francë.

Salmonela mund të shkaktojë diarre të rëndë, dhimbje të forta stomaku, të vjella dhe dehidratim. Ajo mund të jetë e rrezikshme për jetën, veçanërisht te fëmijët e vegjël. Deri më tani 35 raste me salmonelë janë raportuar në Francë dhe një tjetër në Spanjë.

Një tjetër rast i mundshëm po hetohet në Greqi. Qeveria franceze paralajmëroi kompaninë se duhet të presë ndëshkime për mënyrën se si kishte menaxhuar problemin dhe kërcënoi të vendoste sanksione edhe kundër disa supermarketeve të mëdha që kishin vazhduar të shisnin produktet që mund të ishin të kontaminuara. /TCh/