Një astronaut japonez që po qëndron në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar thotë se është rritur me 9 centimetra që nga koha kur arriti atje tri javë më parë.
“Mirëmëngjes të gjithëve. Kam një lajm të rëndësishëm sot. Ne matëm trupat tanë pas arritjes në hapësirë dhe uau… Unë jam zgjatur me 9 centimetra. Jam rritur si një bimë për vetëm 3 javë. Nuk më kishte ndodhur diçka e tillë që nga gjimnazi. Por jam edhe pak i shqetësuar, nëse do të mund të ulem në sediljen e anijes “Soyuz” kur të kthehem”, shkruante Norishige Kanai.
Anija “Soyuz”, që transporton astronautët nga Toka në Stacionin Hapësinor dhe i kthen ata sërish në shtëpi, ka një limit për lartësinë e sediljes. Nëse anëtarët e ekuipazhit zgjaten shumë, kjo mund të përbëjë një problem.
Astronautët rriten me një mesatare nga dy deri në 5 centimetra kur janë në hapësirë. Kjo ndodh për shkak se mungesa e gravitetit lejon vertebrat në shtyllën e tyre kurrizore të zgjaten. Astronautët rikthehen në gjatësinë normale kur kthehen në Tokë, shkruan “BBC”.





