Nën vargmalin e Apenineve, në pjesën jugore të tij, në thellësi, ekziston një burim magme që mund të shkaktojë tërmete me manjituda të konsiderueshme dhe më të fortë sesa ato që janë regjistruar deri tani në këtë zonë.

Zbulimi, që është publikuar në revistën Science Advances, është bërë nga Instituti Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë dhe departamenti i Fizikës dhe Gjeologjisë në Universitetin e Peruxhës, raporton Il Messaggero.

“Burimi i magmës është zbuluar në zonën e Sannio-Matese-s. Në pjesën më të thellë të vargmalit po prodhohet magmë që ngjitet drejt sipërfaqes, duke u ndalur në thellësinë 15-25 km”,- ka thënë për Ansa inxhinieri Guido Ventura, koordinator i kërkimit.

Burimi i magmës shkakton prodhimin e dioksidit të karbonit në thellësi dhe mund të bëhet shkak për lëkundjet e tokës.

Zbulimi është bërë pasi zona në fjalë u godit në fund të vitit 2013 dhe fillim të 2014 nga tërmete me manjitudë maksimale 5 ballë.