Kancelarja gjermane Angela Merkel ka nisur një raund të ri bisedimesh në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit që ka paralizuar jetën politike të vendit.

Më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve, Gjermania vazhdon të mbetet pa një qeveri të re, sepse tentativat e mëhershme të krijimit te një koalicioni kanë dështuar duke e shtyrë kancelaren sërish drejt social-demokratëve.

Bisedimet 5 ditore do të përfshijnë pikërisht këta të fundit, kristiandemokratët e Merkelit dhe partinë simotër, Unionin socialdemokrat CSU.

Shumë ekspertë e shohin këtë si shansin e fundit të Merkelit për krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm. SPD’ja e qendrës së majtë ka bashkëqeverisur me partinë e qendrës se djathte të kancelares për 8 vjet, por rezultati tejet i dobët ne zgjedhjet e shtatorit e detyroi liderin e saj Martin Schulz të zotohet se do ta lërë në opozitë forcën politike që drejton.

"Unë besoj se bisedimet mund të kenë sukses", tha Merkel, ndërsa mbërriti në selinë e SPD në Berlin.

"Po shkoj  në këto bisedime me optimizëm, me të vërtetë është e qartë se në këto pak ditë kemi përpara një punë të madhe, por ne jemi të gatshëm të marrim këtë punë dhe të arrijmë një rezultat të mirë", shtoi ajo, transmeton oranews.

Merkelit tani i duhet t’i bindë krerët social-demokratë se kanë mjaftueshëm objektiva të përbashkëta për të nisur zyrtarisht negociatat e koalicionit nga muaji mars apo prill.

Me deklaratën e dhënë për gazetarët përpara takimit Schulz çeli një dritare shprese. Ai u shpreh se nuk do të vendosë vija të kuqe dhe se kohët e reja kërkojnë politika të reja, duke lënë kështu të kuptohet se terreni për kompromis nuk mungon.

Nga këto diskutime i kanë drejtuar sytë edhe aleatët të Gjermanisë në BE, të cilët e shohin vendin si shtyllën e stabilitetit në bllokun europian.

Deri të premten e javës së ardhshme, partitë kryesore si ajo kristiandemokrate CDU dhe kristiansociale, CSU dhe partia socialdemokrate, SPD duan të krijojnë qartësi, nëse krerët e partisë do t'u rekomandojnë organizmave të partisë futjen në bisedimet e koalicionit.

Lidershipi socialdemokrat ka nevojë edhe për miratimin e bazës së partisë për të filluar bisedimet për koalicion me konservatorët. Votimi do të bëhet më 21 janar në Bonn.