Kalifornia nisi shitjen e marijuanës në dyqane me fillimin e vitit të ri.
Me qindra njerëz mbajtën radhë në dyqanet e licensuara ende pa u hapur dyert e tyre, ndërsa pronarët thanë se kishin krijuar rezerva duke e ditur kërkesën e madhe.
Deri ditën e fundit të 2017-s, marijuana në Kaliforni mund t’i shitej vetëm atyre që e blinin për arsye mjekësore, por tashmë kushdo që ka mbushur 21 vjeç mund ta blejë lirisht.
Çdo kalifornian me moshën e duhur, mund të zotërojë deri në 28 gramë marijuanë dhe të rrisë deri në 6 bimë në shtëpi që prej 1 janarit.
Kalifornia është shteti i gjashtë amerikan që lejon shitjen e marijuanës për publikun e gjerë dhe duke qenë se bëhet fjalë për shtetin më të populluar në vend, nuk ka dyshim se është një shtysë e madhe për këtë industri.
Autoritetet paralajmëruan se marijuana është gjithsesi e jashtligjshme në nivel federal, pra s’mund të kalosh kufirin me të në një tjetër shtet, ta marrësh në avion apo ta dërgosh me postë.
Pritet që në pak vite, tregu kalifornian i kësaj bime të kalojë 7 miliard dollarë, më shumë se 6,6 miliadët që i gjithë tregu i ligjshëm i kanabisit gjeneroi në SHBA në 2016-n.