Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar bllokim në aeroporte dhe në rrugët britanike, ndërkohë që Britania e Madhe po përballet nga një valë të ftohti.

Në Skoci, aeroporti i Glasgowt u detyrua të ndërpresë aktivitetet në orët e para të mëngjesit, para se t’i rifillonte një orë më vonë.

Disa fluturime janë dashur të devijohen drejt Edinburgut dhe aeroporti u ka kërkuar pasagjerëve të informohen rreth fluturimeve të tyre tek kompanitë ajrore para se të shkojnë në terminal.

“Mes orës 08:00 dhe 10:00 GMT, 10 centimetra dëborë janë regjistruar në rajonin e Glasgowt”, sipas Met Office, shërbimi publik britanik për parashikimet meteorologjike.

Sipas këtij organizmi, Skocia, Uellsi dhe Veriu i Anglisë janë rajonet më të prekura nga reshjet e dëborës, që pritet të arrijnë deri në 15 centimetra.

Policia u ka kërkuar banorëve të shmangin lëvizjet dhe kompania e autostradave “Highways England” ka kërkuar për shoferët të pajisen me lopata, batanije, ujë dhe ushqim para se të nisn udhëtimet.

Kompania e Sigurimeve “Automobile Association” (AA) theksoi se kishte marrë më shumë se 1 687 telefonata për defekte para orës 10:00 të mëngjesit, njofton ATA.

Vendi është përballur me një prej netëve më të ftohta të vitit. Temperaturat janë ulur deri në -12,3 gradë Celsius në Loch Glascarnoch, në Highlands.