Miliona njerëz që vuajnë nga diabeti mund të përfitojnë nga një pajisje që parashikon eleminimin e injeksioneve të dhimbshme të insulinës dhe analizave që bëhen duke shpuar gishtat.  

Sipas Daily Mail, shkencëtarët kanë zhvilluar një fashë inovative, pa dhimbje të lëkurës që aplikohet çdo javë për të stimuluar prodhimin e insulinës së trupit dhe për të kontrolluar nivelet e sheqerit në gjak.

Trajtimi i formuluar biokimik e bën këtë duke dhënë një substancë natyrale, e cila është nxjerrë nga algat kafe dhe përzier me agjente terapeutike, nëpërmjet molekulave të tretshme.

Është projektuar edhe për të çliruar përbërësit aktivë shpejt kur është e nevojshme dhe për të ngadalësuar ose ndaluar kur nivelet e glukozës stabilizohen.

Studiuesit amerikanë thonë se efektshmëria e saj si një trajtim është provuar pas testeve te minjtë.

Përhapja e diabetit është rritur gjatë dy dekadave të fundit. Sëmundja prek 371 milionë njerëz në mbarë botën, gjysma e të cilëve nuk janë të diagnostikuar, sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit.

Gjendja është një shkak kryesor i verbërisë, dështimit të veshkave, sulmeve të zemrës, goditjes dhe amputimit të gjymtyrëve të poshtme.

Dr. Richard Leapman, drejtor shkencor i Institutit Kombëtar të Imazheve Biomjekësore dhe Bioinxhinierisë (NIBIB) në Maryland, SHBA, tha: “Kjo përqasje eksperimentale mund të jetë një mënyrë për të përfituar nga fakti se personat me diabet të tipit 2 ende mund të prodhojnë pak insulinë .

Një aplikim javor i fashës do të ishte gjithashtu më pak i komplikuar dhe i dhimbshëm sesa rutinat që kërkojnë testime të shpeshta gjaku”.

Si funksionon fasha

Insulina është një hormon i prodhuar nga pankreasi që lejon trupin tuaj të përdorë sheqer (glukozë) nga karbohidratet në ushqimin që konsumoni.

Sekretohet për të lëvizur glukozën nga qarkullimi i gjakut në qeliza ku sheqeri mund të konvertohet në energji ose të ruhet.

Sidoqoftë, në diabetin e tipit 2, aftësia e trupit për të bërë ose përdorur insulinën dëmtohet në mënyrë progresive.

Shumë pacientë kërkojnë terapi të insulinës, zakonisht nga injeksioni vetëm nën lëkurë, në sasi që llogariten sipas deficitit individual të hormonit në gjak. Por terapia e insulinës nuk menaxhohet mirë në gjysmën e të gjitha rasteve, thonë studiuesit. Formula e saj përbëhet nga dy komponime – exendin-4 dhe glukozë oksidazë – të cilat reagojnë me kiminë e gjakut për të shkaktuar sekretimin e insulinës. Secili përputhet me një grimcë minerale fosfatike, e cila stabilizon përbërjen derisa të jetë e nevojshme.

Në të vërtetë, fasha mund të plotësojë nevojën e trupit çdo ditë, në vend që ta japë efektin në një përdorim të vetëm./tvklan.al