Një polic italian ka humbur jetën paraditen e sotme në një aksident rrugor të regjistruar në një autostradë në veri të Piacenzës. Automjeti me të cilin udhëtonte si pasagjer polici Giuseppe Beolchi u përplas me një kamion.
Por më shumë sesa aksidenti tragjik, lajmi që bëri xhiron e medieve italiane ishte një postim në Facebook i një drejtuesi mjeti që bashkangjitur fotos së përplasjes fatale kishte shkruar “Gëzuar Krishtlindjen policë të mallkuar”.
Siç raportojnë mediet e vendit fqinjë, M.B. (inicialet e personit që postoi statusin fyes) ishte duke udhëtuar në sensin e kundërt të autostradës, ku u regjistrua aksidenti. Ai ka shkrepur foton për ta shoqëruar më pas me komentin fyes, që revoltoi jo pak italianët.
Policia e ka hequr postimin denigrues nga rrjetet sociale, ka identifikuar personin që e postoi atë dhe po shqyrton mundësinë që të nisë procedim penal ndaj tij.





