Zbardhet materiali nga ku ambasadori Donald Lu duket se ka marrë edhe referencën e famshme të 40 familjave mafioze në Shqipëri.

Është publikuar një studim serioz dhe voluminoz që ka si autorë Fabian Zhillën dhe Besford Lamallarin(sot zv.ministër i Brendshëm), të cilët kanë bërë një radiografi të hollësishme të të gjithë krimit të organizuar në Shqipëri.

"Evolimi i Strukturave të organizuara kriminale në Shqipëri", titullohet libri ku paraqitur për herë të parë në një material publik për të gjitha bandat më të rrezikshme mafioze në vend, të ndara në territorin e Republikës, ku gjenerojnë para dhe kontrollojnë gjithçka; veprmtaritë e paligjshme por edhe pastrojnë paratë duke ngritur biznese të ligjshme.

Kush janë ata? Kush fshihet pas tyre dhe cilët biznese gjenerojnë paratë e 40 familjet shqiptare?

Sipas studimit, qyteti i Durrësit është dhe qyteti ku veprimtaria kriminale është mjaft e larmishme për shkak edhe të aksesit që ofron në tregun ndërkombëtar porti i Durrësit, i cili është porti më i madh në vend. Gjithashtu, në këtë qytet kryqëzohen rrjetet kriminale të cilat janë të shpërndara në të gjithë vendin. Në qytetin e Durrësit mendohet që të kenë investime shumë grupe kriminale të cilët vijnë nga i gjithë vendi. Ky qytet shërben deri diku edhe si pikë takimi apo edhe strehimi për shumë prej tyre.

Për këtë arsye është e vështirë të përcaktosh cilat janë organizatat kriminale “autoktone” që veprojnë në këtë qytet. Karakteristikë është që grupet që merren me trafikun e narkotikëve në Durrës janë në numër të vogël anëtarësh dhe kryesisht trafikojnë narkotikë për në Itali. Vihet re që kohëve të fundit ka pasur përplasje midis këtyre grupeve për prishje pazaresh.

Nga ana tjetër, grupe shumë të rrezikshme kriminale përflitet të jenë aktivë në zonat përreth qytetit. Këto grupe janë të strukturuara dhe të mbështetura në lidhje familjare dhe shoqërore. Kanë territore të përcaktuara qartë, të cilat i kontrollojnë, dhe kanë lidhje me organizatat e fuqishme kriminale që veprojnë kryesisht në Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan dhe Krujë.

Mendohet që në Durrës aktualisht të jetë ri-aktivizuar një organizatë kriminale e cila drejtohet nga individë me precedentë të mëparshëm penalë. Kjo organizatë përflitet të ketë formuar një bashkëpunim me një ndër organizatat më të rrezikshme që veprojnë në rrethin e Tiranës, përshkruar më sipër. Kjo organizatë kriminale dyshohet se është aktivizuar më së shumti në mbledhjen e borxheve të bizneseve dhe në pronat e patundshme.

Hamendësohet gjithashtu se në qytetin e Durrësit prej kohësh vepron një “familje” e njohur në botën e krimit dhe me ndikim jo vetëm në veprimtari tregtare por dhe në veprimtari sociale./Tema