Të gjitha mediet e rajonit të Pulias në Itali raportuan sot për arrestimin e një shoferi kamioni, i cili u ndalua në portin e Barit me 2.4 kg heroinë, të fshehur poshtë sediljes.

Shoferi shqiptar, rreth 50 vjeç, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga mediet e vendit fqinjë, u arrestua për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Kamioni me drogën e fshehur poshtë sediljes së shoferit ka kaluar përmes portit të Durrësit për t’u imbarkuar në njërin nga tragetet e linjës Durrës-Bari.

Policia Kufitare e Durrësit dështoi edhe njëherë në kapjen e një sasie të konsiderueshme droge, ndërkohë që kolegët e tyre në bregun matanë Adriatikut, arritën të zbulonin heroinën, megjithëse e fshehur në një vend të krijuar apostafat për drogën.

Vetëm një ditë më parë, Policia Kufitare e Durrësit la pa imbarkuar në tragetin e linjës Durrës-Ankona rreth 60 kamionë duke deklaruar se mjetet e transportit nuk kishin kryer procedurën në kohë dhe nuk lejohej kalimi i tyre pa u skanuar dhe pa kontrollet anti-drogë të detyrueshme.

Por nga ana tjetër, nën hundën e Policisë Kufitare kaluan 2.4 kg heroinë.

Mesa duket Policia Kufitare kërkon të shfajësohet para kolegëve italianë, duke treguar se kujtohet të kontrollojë imtësisht vetëm në rastet kur pala italiane zbulon drogën që kalon përmes portit të Durrësit.

Fotot që sjell DurrësLajm tregojnë dhjetëra kamionë të mbetur në tokë një natë më parë në port me justifikimin që nuk janë kontrolluar, ndërkohë që, tek ata që mbartin drogën, kontrolli bëhet sa për sy e faqe!