Një aksident i rëndë është regjistruar para pak çastesh në lagjen nr.12 të Durrësit, pranë rreth-rrotullimit që ndodhet në afërsi të tregut të fruta-perimeve.

Një i moshuar që udhëtonte me biçikletë në krah të kundërt është përplasur nga autobuzi urban.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, që kanë dërguar në DurrësLajm fotot nga aksidenti, i moshuari është futur me gjithë biçikletën me të cilën udhëtonte poshtë autobusit.

Në vendngjarje ka edhe njolla gjaku, por sipas informacioneve të para, i moshuari është dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nuk dihet ende identiteti i të aksidentuarit.

Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia rrugore që po kryen hetimet e para për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Mësohet se është marrë në pyetje edhe drejtuesi i autobuzit i përfshirë në aksident.