Moti i keq me reshje të dendura shiu dje dhe gjatë natës ka shkaktuar përmbytje dhe probleme me qarkullimin e mjeteve dhe të njerëzve në pjesën më të madhe të Shqipërisë.

Pas një nate të vështirë dhe një situate të jashtëzakonshme në autostradën Tiranë-Durrës, mësohet se mëngjesin e sotëm, pjesa Tiranë-Durrës është e kalueshme me shumë vështirësi. Ndërkohë pjesa Durrës-Tiranë nuk kalohet ende.

Emergjencat Civile kanë parashikuar një përkeqësim të situatës, ndërsa të gjitha strukturat e shtetit, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Emergjencat Civile, punonjësit e OSHEE, ata të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Prefekturat, Bashkitë, Ministrat, Prefektët, etj., janë në krye të detyrës në aktivitet të plotë për përballimin e situatës së vështirë.

Emergjencat Civile kanë publikuar një video të orëve të fundit nga situata në aksin Thumanë-Fushë Kruje, ku përmbytjet kanë bërë që autostrada të jetë e pakalueshme.