Kur iku gjermani i fundit nga Shkodra, më 28 apo 29 nëntor?

Për herë të parë historiani Marenglen Kasmi ka publikuar një dokument të ushtrisë gjermane, nxjerrë nga arkivat dhe firmosur më 30 nëntor të vitit 1944, i cili sqaron përfundimisht nga pikëpamja historike “mollën e sherrit” prej çerek shekulli mes politikanëve dhe historianëve.

“Kam një raportim ditor me telegram të Komandës të Grupimit të Forcave Tokësore E, që përfshinin forcat në Ballkan dhe kam vëzhguar raportimet nga data 22 deri në datën 30. Është raportimi i datës 29, i pasdites, ku thuhet që Shkodra tashmë është lëshuar. Është një raportim shtesë, ku thuhet se Shkodra është lëshuar pa presion nga kundërshtari”, ka deklaruar Kasmi në emisionin “Top Story”, në Top Channel.