Këngëtarja britanike me famë botërore Emeli Sande, që sonte do të jetë në Tiranë në aktivitetin e organizuar nga Qeveria dhe Bashkia Tiranë për "Natën e Bardhë", ka rënë pre e një skeme të vjedhjes online, pasi i kanë vjedhur 300 mijë Paund nga llogaria bankare.
Fatmirësisht çështja u zgjidh dhe autoritetet britanike në Londër zbuluan autorin e dyshuar, që është Rasad Salam. Ngjarja ka ndodhur para disa ditësh, por është zbuluar sot nga mediat.
Ish-bashkëshorti i këngëtares, Adam Gouraguine u vu në shënjestër të hajdutëve, të cilët përdorën të dhënat personale të llogarisë bankare të tij dhe transferuan 300 mijë Paund. Gouraguine vuri re lëvizjen e dyshimtë të parave dhe kontaktoi menjëherë me bankën.
Autoritetet u vunë në lëvizje dhe zbuluan skemën mashtruese, duke ndaluar vjedhjen e parave. Këngëtarja Emeli Sande dhe ish-bashkëshorti i saj janë ndarë përpara një viti, por ende kanë një llogari të përbashkët bankare.
Sot u zhvillua seanca gjyqësore ndaj autorit të dyshuar, ku u zbulua se ai kishte vjedhur në total 10 llogari bankare përmes skemave mashtruese.





