Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj thotë se mbledhja e pestë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë do të mbahet në qytetin e Pejës.
Komentet ai i bëri në Facebook, pas mbledhjes së katërt të përbashkët në mes të dy vendeve ku u nënshkruan 12 marrëveshje.
Shkrimi i plotë i Haradinajt në Facebook:
Në Korçën e Rilindjes sonë Kombëtare, në qytetin e shkollës së parë shqipe dhe në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë mbajtën mbledhjën e katërt të përbashkët, duke nënshkruar 12 marrëveshje.
Gjaku, gjuha dhe flamuri na mbajtën bashkë dhe do të jemi bashkë në bashkimin tonë me BE-në dhe me NATO-n.
Mbledhja e Pestë, vitin që vjen, u pajtuam të mbahet në vendin e kulturës dhe të traditës, në qytetin e bukur të Pejës.
Në prag të 28 Nëntorit, festës sonë të shumëfishtë, ne, si një tokë, e në një zë, zotohemi se do të jemi në shërbim të të gjithë shqiptarëve!
RH





